RRETH NESH
HISTORIKU
Shoqata Kaçaniku është trashëgimtare dhe pasuese e Shoqatës Humanitare Kaçaniku e cila është themeluar më 1990 në Bern të Zvicrës. Ajo u themelua nga mërgimtarët kaçanikas të cilët dëshironin të ndihmonin vendlindjen e tyre që në atë kohë ishte në gjendje shumë të rëndë politike dhe socialekonomike. Shoqata Humanitare Kaçaniku në Zvicër që nga themelimi i saj më 1990 deri në përfundim të luftës në Kosovë ka qenë ndër shoqatat më aktive dhe më të organizuara në Zvicër. Në këtë periudhë janë ndihmuar përveç njerëzve në nevojë, gati të gjitha institucionet komunale të asaj kohe, duke përfshirë arsimin, shëndetësinë dhe këshillin komunal për financim. Vetëm në periudhën e luftës, janë dërguar për nevojat e luftës mbi 400.000 Fr. Fatmirësisht, për shkak të organizimit të mirë që ka pasur shoqata, sot mund të dokumentohen të gjitha faktet mbi veprimtarinë e saj sepse ato ruhen mirë në arkivin e shoqatës (disa prej dokumenteve mund t’i shihni në rubrikën e arkivit). Mjerisht pas përfundimit të luftës, për arsye të ndryshme, që nuk mund të trajtohen në këtë informatë, shoqata shuan aktivitetin e saj ! Por, fatmirësisht më 2012 ajo riaktivizohet përsëri me qëllimin e mirë, të organizoj më mirë diasporën dhe të jap një kontribut modest në luftimin e varfërisë dhe përmes shembullit të saj, në ngritjen e vetëdijes dhe kulturës qyterare të solidaritetit. Që nga viti 2013 shoqata ka ndihmuar për çdo vit familjet më të varfëra në Komunën e Kaçanikut. Besojmë se kjo traditë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ne jemi të vetëdijshëm se ndihma jonë është tepër e vogël dhe e pamjaftueshme për t’i plotësuar të gjitha nevojat dhe kërkesat. Ne jemi të vetëdijshëm se ne si shoqatë nuk mund të zhdukim varfërinë që do të duhej të ishte synimi më madhor i klasës politike dhe i të gjitha organeve udhëheqëse që janë zhytur thellë në korrupcion dhe në krim të organizuar dhe që kanë bllokuar të gjitha energjitë pozitive për zhvillimin dhe përparimin e vendit. Por ne me punën tonë vullnetare duam të dërgojmë dhe përçojmë sinjale pozitive dhe të trokasim në ndërgjegjen e të gjithë qytetarëve tanë se kjo çështje është e një rëndësie tepër të madhe për vendin tonë.
Më 2017 shoqata riorganizohet dhe në mbledhjen e 30.04.2017 merret vendimi për ndryshimin e emrit nga « Shoqata Humanitare Kaçaniku » në « Shoqata Kaçaniku » dhe gjithashtu vendosë që shoqata dhe ky organizim i ri t’i përfshijë jo vetëm mërgimtarët në Zvicër, por të gjithë diasporën kaçanikase kudo që janë.
Shoqata Kaçaniku edhe më tutje në veprimtarinë e saj do të merret me aktivitete humanitare, por nuk do të jetë humaniteti aktivitet i vetëm i saj, ajo do të merret edhe me çështje kulturore, dhe takime të ndryshme të bashkatdhetarëve. Në fokus të shoqatës do të jenë të rinjtë dhe të rejat kaçanikase që jetojnë në diasporë, njohja më e mirë ndërmjet tyre, stimulimi i tyre për t’u shkolluar dhe avansuar në vendet ku ata jetojnë dhe zhvillimi i ndjenjës së dashurisë dhe solidaritetit me vendlindjen e tyre përkatësisht vendlindjen e prindërve të tyre. Shoqata gjithashtu mbështetë aktivitete dhe projekte në vendlindje që janë në të mirën dhe interesin e përgjithshëm.
VIZIONI YNË
Të organizuar në shoqatën tonë, bashkatdhetarët janë më pranë vendlindjes së tyre!
Të rinjtë dhe të rejat do të përkrahen e avansohen në organizimin tonë dhe do të jenë në qendër të vëmendjes sonë!
Organizimi ynë gjithnjë do të rritet dhe do të jetë në shërbim të interesave të bashkatdhetarëve dhe atdheut tonë!
Angazhohemi maksimalisht për një Kosovë demokratike e të zhvilluar, për një Kosovë me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e saj, e përfaqësuar denjësisht në arenën ndërkombëtare!
Vizioni ynë është që qytetarët tanë ta duan vendin e tyre dhe të kontribuojnë në zhvillimin dhe përparimin e tij, sikundër që angazhohemi që qytetarët e Kosovës të bëjnë një shtet i cili do të jetë në shërbim të qytetarëve të tij.